RTK

RTKLive
26 Prill, 2024

Fabiana Bytyqi sfidon titullin WBC Youth me 5 mars në qytetin Pilsen të Republikës së Çekisë

3 min read

Ndërsa Sebastian Bytyqi do të ketë përballjen në 6 raunde me boksierin nga Gjeorgjia, Nugzar Chavchavadze. 

Motër e vëlla, Fabiana dhe Sebastian Bytyqi do të kenë sfidat e radhës me 5 mars në qytetin Pilsen të Republikës së Çekisë. Për Fabianën kjo ngjarje do të jetë domethënëse sepse ajo do të sfidoj titullin “WBC Youth” (titull i kampionit botëror për të reja, nën 21-vjeç), ndërsa Sebastiani do të ketë një meç në 6 raunde.

Fabiana BytyqiSebastian BytyqiFabiana 6-0 (2 KO) për kundërshtare do ta ketë bullgaren Teodora Bacheva 4-2-0 (1 KO). Këto dy boksiere njihen ndërmjet tyre sepse kanë boksuar vitin e kaluar në Dessau të Gjermanisë, ku Fabiana e mposhti me vendim të gjyqëtarëve pas katër raundeve. Por, kësaj radhe sfida do të jetë edhe më madhe, pasi dueli do të jetë i vlefshëm për titullin “WBC Youth” dhe do të zhvillohet në 10 raunde. Deri më tani Fabiana të gjitha meçet i ka zhvilluar nga 4 deri 6 raunde.

Ndërsa Sebastian Bytyqi 6-0 (6 KO) do të ketë përballjen në 6 raunde me boksierin nga Gjeorgjia, Nugzar Chavchavadze 12-4-0 (7 KO). Kjo do të jetë sfida më e vështirë deri më tani për Sebastianin, pasi Chavchavadze vlerësohet kundërshtar i rrëzikshëm dhe me përvojë, dhe bilanci i tij në 16 meçe tregon se për çfarë boksieri bëhet fjalë. 

Kush janë Fabiana dhe Sebastian Bytyqi:

Fabiana-dhe-Sebastian-BytyqiMotër e vëlla po shkëlqejnë në boksin profesionist në Republikën e Çekisë, si banor rezident, por meçet e tyre po i zhvillojnë në Çeki, Gjermani dhe në tërë Evropën dhe deri më tani janë treguar shumë të suksesshëm. Edhe pse të lindur në Çeki, nga familja e tyre ata janë të edukuar në frymë patriotike dhe në çdo meç paraqiten me veshje kuq e zi duke u mburrur me prejardhjen e tyre shqiptare.

Fabiana, është 20-vjeçe, ndërsa Sebastiani është 18-vjeç. Të dy janë talente të mëdhenj dhe deri më tani kanë qenë të suksesshëm në përballjet e tyre në boksin profesionist duke shënuar të gjitha fitore.

Fabiana dhe Sebastiani, kanë mbështetje të madhe nga familja, sidomos nga babai, Fabiani dhe nëna Martina. Familja e tyre prej vitesh ka emigruar në Evropë, ku fillimisht u vendosen në Kroaci në
vitin 1991. Ishte lufta që kishte shpërthyer atje duke i shtyrë prapë të lëvizin dhe vendosën në qytetin Pelzen të Republikës së Çeke. Në vitin 1993, ndërruan qytetin në Usti nad Labem, ku edhe më sot jetojnë dhe bashkëveprojnë.

Biografia e Fabiana Bytyqit: U lind më 30 dhjetor 1995 në Usti nad Labem të Republikës së Çekisë. Filloi me boks nga mosha e re, ndërsa që nga mosha 18 vjeçare debutoi në boksin profesionist. Është trajneri i saj, ish-boksieri i suksesshëm, Lukas Konecny, i cili shtyu Fabianën në boksin profesionist dhe e cila deri më tani ka zhvilluar 6 meçe me bilanc të qindtpërqindtë – 6-0 (2 KO). Duelin e fundit, Fabiana e zhvilloi në Berlin të Gjermanisë më 9 janar, meqë rast mposhti italianen, Claudia Ferencsi (10 fitore – 49 humbje) – me vendim unanim pas gjashtë raundeve. Fitoret tjera, Fabiana i ka arritur ndaj Teodora Bacheva – SD 6, Maribel De Sousa
– UD 6, Gloria Vasileva – UD 6, Agnes Drexler – TKO 2 dhe Andrea Lakator – TKO 4.

Biografia e Sebastian Bytyqit:  U lind më 13 shtator 1997 në Usti nad Labem të Republikës Çeke. Ndryshe nga motra e  cila merret vetëm me boksin profesionist, Sebastiani, krahas zhvillimit të tij si boksier profesionist, merret edhe me kikboks. Sebastiani edhe në sportin me këmbë dhe grushte ka suksese. Kjo nuk i pengon aspak që të merret me të dy këtp sporte dhe i bën me ëndje.
Sebastiani deri më tani ka zhvilluar 6 meçe në boksin profesionist me bilanc, 6-0 (6 KO).
Sebastiani, fitoren e fundit e shënoi më 12 shtator. Ai mposhti çekun, Lukas Radic (2 fitore – 1 humbje) me nokaut teknik në raund të dytë. Fitoret tjera, Sebastiani i shënoi ndaj Vladimir Batyi – KO 1, Amiran Abuladze – TKO 4, Josef Redlich – TKO 1, Patrik Gadzo – TKO 1 dhe Radek Belak – TKO 1.

Përgatiti: 
Artan Vërbica
24 shkurt 2016 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.