RTK

RTKLive
15 Janar, 2021

Robin Krasniqi – Boksieri më i mirë i vitit 2020

4 min read

Robin Haxhi Krasniqi ka qenë padyshim boksieri më i suksesshëm në vitin 2020. Ai ishte pa konkurrencë sepse arriti një sukses të jashtazakonshëm duke fituar dy titujt botëror, WBA Interim dhe IBO, në kategorinë gjysëm të rënd.

Të gjithë e kishin quajtur të përfunduar dhe të pavlefshëm pasi humbi përballjen kundër Stefan Hartel në maj të vitit 2019. Kishin pasuar disa probleme edhe me lëndimin ku Krasniqi iu detyrua operimit dhe kjo arriti ta mbaj jashtë ringut atë plot 15-muaj. Vendosi për rikthim duke konsideruar vetën më të vlefshëm në kategorinë ku kishte boksuar më parë, atë në gjysëm të rënd.

Plani i ekipit tij promovues SES Boxing ishte që ai paraprakisht të bokson kundër një kundërshtari mesatar për tu rikthyer në renditje botërore e më pastaj të boksoj kundër yllit tjetër të SES Boxing, Dominick Boesel. Kompania që menaxhon dy boksierët ishin të bindur që Boesel ishte boksieri më i mirë momental i tyre dhe fitorja e tij do të ishte e sigurt, por si duket nuk e kishin analizuar mirë gjërat dhe konstantimet e tyre dolën të gabuara ku boksieri ynë tregoi vlerat e tij.

Të fillojm nga rikthimi i tij. Krasniqi me të vërtet jo vetëm intelegjent, por ai u tregua për një kohë të gjatë edhe një aktor i madh. I gjithë plani i tij ishte në heshtje. Ankohej te disa persona që dora e tij nuk ishte siç ka qenë më parë dhe se ka dhimbje herë pas here, stërviste i vetëm, dhe ishte i uritur, unë them si Muhammed Ali, para mëngjesit që mos ta shihte askush dhe atë që bëri më së miri ishte bartja e tij në palestrën e tij të ndërtuar në Augsburg. Pra, Krasniqi e mendoi mirë të gjitha dhe bëri hapin e duhur.

Dueli paraprakë iu caktua 22 gusht. Kundërshtari iu caktua, ai ishte çeku Stanislav Eschner. Eschner kishte bilanc mesatar, prej 14 fitoresh (7 KO), 14 humbje dhe një barazim në gjithsejt 29 meçe. Përkundër rekordit të tij të keq në letër, ai ishte shumë më i mirë se figuronte. I rëndësishëm ishte rikthimi ku simpatizuesit e tij e kishin pritur me padurim rikthimin e tij. Befasia do të vinte pas këtij meçi. Krasniqi kundër Eschner tregoi maturi dhe boksoi për mrekulli duke fituar pas tetë raundeve me vendim unanim. Ndonëse Eschner kundërshtar i mirë dhe i fortë, jam i bindur që Krasniqi bëri aq sa u desht për të fituar përballjen. Tregoi menquri dhe jo më të mirën e tij, për ti mos i trembur ekipin e Boesel të cilët e vështronin. Tregoi aq sa për ti befasuar më pastaj.

Menjëherë pas këtij meçi, kaloi një muaj dhe gjithçka u finalizua me 22 shtator që Krasniqi dhe Boesel të ndeshen me 10 tetor. Ishin tre javë vetëm deri te përballja, por Krasniqin kjo nuk e shqetësoi. Ai kishte punuar gjatë dhe kujdesshëm dhe e dinte planin se çka do të ndodh. Ishte më i përgatitur se ata që e mendonin.

Kishin çarkulluar zëra dhe shumë analiza se a do të mund që Krasniqi të mposht Boeselin. Shumë thonin se ai pati disa herë rastin dhe pësoi si kundër Nathan Cleverlit, pastaj Jurgen Brahmer dhe Arthur Abraham. Por, e kisha deklaruar shumë herë dhe e përsërita një ditë para meçit në Klan Kosova TV: “Krasniqin vetëm se e kanë forcuar ato përballje. Ato nuk ishin humbje, ato ishin përvojë dhe ai asnjëherë nuk ka humbur, vetëm se ka mundur të fitoj më shumë. Krasniqin e dua sepse ai ka boksuar me më të mirët në kohën e secilit “Prime”, ai nuk është fshehur asnjëherë si disa yje që ka pasur SES Boxing si për shembull Robert Stieglitz i cili nuk ka pasur guximin në kohën e tij të boksoj në “Super Six – Super Middleweight” turneun me më të mirët siç ishin Andre Ward, Allen Green, Sakio Bika, Mikkel Kessler, Arthur Abraham etj. Njësoj edhe Boesel kundër kujt ka boksuar. Mund të them që nga 30 fitoret që i kishte shënuar vetëm një kishte vlerë, ajo kundër suedezit Sven Fornling, që ishte befasi për mua që nuk e kisha pritur, sepse i dija kualitetet e Fornling një mik i imi i mirë për shumë vite. Pra, gjithë kjo karrierë pa bujë nga Boesel, nuk do të sjell asgjë vetëm kapitulimin e tij nga boksieri ynë i cili jo pse është i yni, por është më i mirë”, ishte deklarata ime.

Dhe ashtu ndodhi. Ëndrra e tij por edhe e gjithë shqiptarëve u realizua. Robin Haxhi Krasniqi rrëmbeu titullin e botës, IBO (që radhitet i pesti pas 4 tjerëve prestogjioz) dhe WBA Interim në kategorinë gjysëm të rënd. Fitorja e tij ishte edhe më e ëmbël për ne dhe më bindëse duke na bërë krenarë. Ai nokautoi Boesel-in në raund të tretë duke mos lënë dilema se cili ishte më i mirë. Nëse Krasniqi e kishte kursyer aq shumë nepër sparringje të përbashkëta, kësaj radhe këtë nuk mund t`ia bënte. Thjesht Boesel u tregua jo njerëzor, jo mik, dhe mori çmimin e kërkuar nga Krasniqi.

Prandaj Krasniqi me meritë fiton titullin e boksierit më të mirë nga Kosova Boxing. Kjo është hera e gjashtë që Krasniqi zgjidhet boksieri më i mirë i vitit. Ai fitoi poashtu me 2011, 2012, 2014, 2016, 2018 dhe tani me 2020.

Shpresojm që viti 2021 të jetë edhe më i suksesshëm për Krasniqin.

Artan Vërbica
2 janar 2021

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.