Freeman Coliseum, San Antonio, SHBA, 10 mars 2018 – Meksikani Mikey Garcia ka arritur të shpallet kampion i botës në katër kategori të ndryshme duke u barazuar me dy legjendat botërore, Manny Pacquiao dhe Juan Manuel Marquez.

Garcia (38-0, 30 KO) mposhti rusin Sergei Lipinets (13-1, 10 KO) duke i rrëmbyer titullin e kampionit të botës në versionin IBF në kategorinë super të lehtë. Garcia tregoi edhe një herë superioritetin e tij duke dëshmuar se është njëri ndër më të mirët e botës “Pound-4-Pound”.

Dueli ishte i fortë për gjatë 12-raundeve dhe i paparashikueshëm edhe pse Garcia krijoi epërsi në raundet e fundit. Dy raundet e para i fitoi Garcia, ndërsa që raundet tre, katër, pesë dhe gjashtë ishin mjaft të ngushta gjë që dueli ishte si i barabartë. Se ka syrin e kampionit të vërtetë, këtë e dëshmoi Garcia në raundin e shtatë duke e hedhur në dysheme Lipinetsin me një kroshe të majtë. Rusi u zgjua dhe vazhdoi duke u rikthyer fortë duke fituar raundin e tetë. Garcia bokson përsëri bukur në raundet nëntë dhe dhjetë duke krijuar avantazhin e duhur dhe tani më siguroi fitoren. Në dy raundet e fundit njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë Lipinets u mundua por ishte e kotë, ku Garcia fitoi me meritë duke fituar titullin e katërt të kampionit botëror në katër kategori të ndryshme.

Të rikujtojmë lexuesit tanë se Garcia arriti të shpallet kampion i botës në këto kategori, në pendël, super pendël, të lehtë dhe super të lehtë.

I gjithë publiku botëror pret përballjen mes Garcias dhe Lomachenkos, që do të ishte meçi i dekadës. Kjo pritet të zhvillohet në fund të vitit.

Artan Vërbica
12 mars 2018