RTK

RTKLive
2 Dhjetor, 2025

Tërbunja fiton betejën me polakun Grafka

2 min read

Palestra “1 Tetori” Prishtinë, 6 tetor 2012 – Naim Tërbunja ka shënuar fitoren e tij të katërt në boksin profesionist. Tërbunja të shtunën mbrëma në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë mposhti me pikë pas gjashtë raundeve boksierin polak Bartlomiej Grafka. Lufta mes dy boksierëve të kategorisë super të mesme ishte mjaft e fortë, ndërsa në fund dy nga gjyqtarët vlerësuan luftën në favor të Tërbunjës (60:59, 60:58), ndërsa njëri prej tyre vlerësoi luftën baraz (59:59). Tërbunja 28-vjeçar mbeti i pamposhtur në ringun profesionist. Për të kjo ishte përballja e dytë në Kosovë. Ai në korrik kishte mposhtur në Podujevë kroatin Marijan Markoviq.

“Ishte një luftë shumë e fortë. Jam shumë i lumtur për fitoren dhe i falënderojë gjithë shikuesit që më përkrahën”, ka thënë Tërbunja. Për polakun Grafka 24-vjeçar kjo ishte humbja e tretë në boksin profesionist, karshi gjashtë fitoreve sa i ka.

Në parameç të duelit mes Tërbunjës e Grafkas u zhvilluan edhe dy meçe tjera profesioniste.

Në kategorinë e mesme boksierin shqiptar Jetmir Kuçi u përballë me boshnjakun Emir Telaloviq. Kuçi 35-vjeçar e fitoi këtë përballje me pikë pas gjashtë raundeve. Dy gjyqtarë i dhanë fitore Kuçit (60:58, 60:58), ndërsa njëri prej tyre vlerësoi luftën si të barabartë (59:59). Për Kuçin kjo ishte fitorja e shtatë në boksin profesionist, karshi dy humbjeve. Boshnjaku Telaloviq pësoi humbjen e tij të parë, pas tri fitoreve që kishte shënuar në boksin profesionist.

Dardan Zenunaj në kategorinë super pendël ishte dukshëm më i mirë se kundërshtari i tij nga Hungaria, Zoltan Horvath. Zenunaj triumfoi me vendim unanim pas katër raundeve, duke e shënuar fitoren e tij të tretë në boksin profesionist karshi një humbje sa ka. Për hungarezin Horvath kjo ishte humbja e 11-të nga po aq duele sa i ka zhvilluar.

“Jam shumë i lumtur që e organizuam këtë mbrëmje në një nivel të lartë. Ndoshta shikueshmëria nuk ishte aq e madhe dhe një prej arsyeve mund të jetë çmimi i biletave. Mirëpo, çmimi është i arsyeshëm duke e pasur parasysh cilësinë e meçeve që ishin. Synojmë tash që Naimit t’ia organizojmë një sfidë tjetër në stadiumin e Prishtinës në maj. Ajo ngjarje do të jetë edhe më e madhe, ku e kemi ndërmend të sjellim si mysafir nderi legjendën Mike Tyson. Po ashtu synojmë që të sjellim edhe Haxhi Krasniqin. Të gjitha këto varen nga sponsorët”, ka thënë promotori Abedin Demolli. Meçi u përcoll nga rreth 500 shikues.

Nesër do t`ju sjellim një speciale nga ky meç.

Kosovaboxing.org
6 Tetor 2012

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.