RTK

RTKLive
29 Mars, 2024

Tatli, më 9 maj, mbron titullin WBA Inter-Continental

2 min read

edis tatli 2222

Foto: Shpend Ahmeti 

Boksieri prizrenas i kategorisë së lehtë, Edis Tatli, më 9 maj, në Helsinki, do të mbrojë titullin WBA Inter-Continental në një duel kundër italianit Antonio de Vitis, ndërsa shpreson që me një fitore në këtë përballje do të arrijë deri te lufta për titull bote. Për Tatlin 26-vjeçar, që është duke e zhvilluar karrierën në Finlandë, do të jetë përballja e 23-të në boksin profesionist. Ai ka fituar 22 përballjet e deritashme, gjashtë prej tyre me nokaut.

“Pres një fitore të madhe. Unë jam i përgatitur mjaft mirë, por tash jam në stërvitje intensive dhe do të jem në formën më të mirë për përballjen më 9 maj. Shpresoj që me një fitore në këtë përballje të arrij deri te lufta për titull bote. Antonio de Vitis është një boksier mjaft i fortë dhe me një fitore ndaj tij do të ngjitem edhe më lart në renditje dhe do të marr edhe më tepër përvojë”, ka thënë Tatli për Kosova Boxing.

Tatli, që në ringun profesionist mban nofkën “Princi”, së fundi kishte boksuar më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kur e mposhti me vendim unanim pas 12 raundeve ish-kampionin e botës, Mzonke Fana.

Prizrenasi në renditjen e versionit WBA mban pozitën e 12-të, ndërsa në versionin tjetër botëror, WBC gjendet në pozitën e 27-të. Kundërshtari i tij Antonio de Vitis (35), ka bilanc prej 26 fitoreve (14 KO), tri humbjeve e një barazimi.

Tatli shpreson që në rast të fitores ndaj De Vitisit të arrijë deri te një luftë për titull bote. Aktualisht kampion në versionin WBA, është kubani Richar Abril, ndërsa ai më 7 qershor në Moskë do të mbrojë titullin në duel kundër rusit Eduard Troyanovsky.

“Nga ata të dy më tepër do të më përshtatej të ndeshem me Troyanovskyn, mirëpo jam i gatshëm për cilindo nga ta”, ka thënë Tatli.

Menaxheri i Tatlit, Pekka Maki, është optimist në një fitore të prizrenasit, ndërsa ka lënë të kuptohet se pas përballjes me Vitisit, synon një sfidë të madhe të Tatlit.

“Ne jemi duke bërë një ngjarje të madhe më 9 maj. Vetë mbrojtja e titullit WBA Inter-Continental nga Tatli është një gjë e madhe, mirëpo kjo ndeshje është edhe më e rëndësishme. Më tepër nuk do të bëj të ditur tash”, ka thënë Maki, për Kosova Boxing.

Artan Vërbica
29 prill 2014

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.