RTK

RTKLive
29 Mars, 2024

Sherifi dhe Gjergjaj fitojnë në Bad Ragaz

4 min read

SportHalle, Bad Ragaz, Zvicër, 28 Maj 2011 – Se boksierët tanë janë të fuqishëm dhe gëzojnë respekt në Zvicër, e treguan edhe mbrëmë në qytetin Bad Ragaz ku në vitet e fundit është bërë trevë e boksit në këtë shtet. Dy akterët tanë në këtë mbrëmje, Arnold Gjergjaj dhe Sevdail Sherifi boksuan mjaft mirë duke shënuar fitore të vështira, por të vlefshme dhe të rëndësishme. Arnold Gjergjaj 11-0 (7 KO) shtoi edhe një fitore në karrierën e tij. Ai boksoi kundër lituanezit të papërshtatshëm Igoris Borucha 5-11-0 (1 KO). Që nga fillimi Gjergjaj dëshiroi të përfundoj luftën sa më parë por lituanezi ishte mjaft i pjekur dhe nuk lejoi një gjë të till, por dominimi ishte në anën e Gjergjaj ku dha disa goditje më të pastërta. Në raundin e dytë Borucha goditi mjaft fortë me kokë në nofull boksierin tonë gjë që nuk u sanksionua nga gjyqëtari, por më vonë pas disa kapjeve të vazhdueshme, gjyqëtari e dënoi duke e ndëshkuar me minus një pikë. Më pastaj Gjergjaj vazhdoi dominimin duke treguar boks të menqur deri në fund duke shënuar fitoren e 11-të në karrierën e tij të profesionistit. “Jam i kënaqur me fitoren. Kundërshtari ishte mjaft i papërshtatshëm, por unë fitova dhe jam i lumtur” theksoi Gjergjaj për Kosovaboxing.org. Ndërkohë edhe traineri dhe menagjeri i tij, Angelo Gallina ishte i lumtur me fitoren e boksierit tonë. “Nuk ka me rendësi a fitoi Arnoldi me KO apo me pikë. Me rëndësi për te është ngritja e tij dhe fitoret. Ai duhet të mësoj të boksoj edhe në shumë raunde” tha Gallina për Kosovaboxing,org.

Më vonë në ring doli edhe i shumë prituri në Bad Ragaz, Sevdail Sherifi, pasi gëzon autoritet të madh në këtë pjesë dhe kishte mjaft adhurues të pranishëm që ishin mjaft të zhurshëm. Sherifi për kundërshtar kishte gjermanin e natyralizuar nga Algjeria, Rachid Raad i cili ishte një kundërshtar mjaft i fortë. Meçi filloi mjaft furishëm që nga fillimi, ku në disa nuanca Rachid Raad ishte më i mirë në raundin e parë dhe të dytë. Sherifi hyri në ring me një qasje të gabuar dhe pa koncept të luftës, dhe kjo bëri ti humb dy raundet e para, por ishin edhe provokimet një ditë përpara në matje zyrtare ku shkëmbyen mjaft fjalë njëri tjetrit për këtë meç. Në raundin e tretë Sherifi tregoi karakterin e tij duke u kthyer në luftë dhe duke fituar këtë raund. Në raundin e katërt përsëri Sherifi kishte një krizë. Raundi i pestë dhe gjashtë dha shumë emocione dhe goditje të forta nga të dy boksierët.,por ishte Sherifi ai i cili dha më shumë goditje. Në fund të tre gjyqëtarët vlerësuan 59-58, 59-58 dhe 58-58 këtë meç në të mirë të Sevdail Sherifit. Të gjithë të pranishmit ishin mjaft të lumtur për fitoren e tij. “Hyra me qasje të keqe në këtë meç. Humba pikë në fillim të raundeve, por arrita ti kompensojë. Pershendes të gjithë ata që më përkrahen” theksoi Sherifi për Kosovaboxing.org. Traineri i tij Leonardo Caputo ishte i shqetësuar për meçin, por ai iu gëzua fitores së boksierit të tij. “Jam i gëzuar që fitoi Sherifi. Kundërshtari ishte i vështirë, kjo u pa sonte, por Sherifi edhe një herë tregoi karakter të fortë dhe guxim të luftëtarit” tha Caputo. Kjo ishte fitorja e gjashtë në karrierë për Sherifin. Ai tani ka 6-1-1 (5 KO).

Në parameçe boksuan edhe disa shqiptar në boksin amator ku treguan boks cilësor. Kreshnik Nikqi ishte ai që tregoi talent duke ngadhënjyer ndaj italianit Camino Paskale me vendim unanim. Fatos Berisha boksoi kundër gjermanit Andreas Kyne, duke fituar me ndërprerje në raund të tretë. Elbasan Halimi boksoi me italianin David De Pasquale, duke humbur meçin me pikë. Kjo natë ishte mjaft e mirë sa i përket paraqitjeve të boksierve tanë. Shpresojmë që arritjet e tyre të jenë edhe më të mëdhaja. Kosovaboxing.org në ditët në vijim do t`ju sjellim një foto-galeri nga ky eviniment i boksit.

Foto : Dashnim Hebibi

Nga Bad Ragaz, Zvicër
Artan Vërbica
29 Maj 2011

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.