Nuri Seferi dhe Arnold Gjergjaj do të paraqitën me 25 maj në Kirchberg të Zvicrës. Dy boksierët tanë do të kanë dy përballje të forta drejt ngritjes së tyre në plasman ku me fitoret e tyre do të afrohen sërish në maje aty ku pretendojnë dhe më pas të shohin për ecurinë e tyre e cila përsëri do të jetë e afërt për të sfiduar ndonjë titull të vlefshëm.

Edhe pse 42-vjeçar, Nuri Seferi është duke kërkuar akoma sfida duke kërkuar fitore tjetër. I patrembur si gjithmonë ka zgjedhur një kundërshtar të fortë,  gjermanin e natyralizuar nga Palestina, Rad Rashid. Rashid i cili ka bilanc prej 16 fitoresh (13 KO), pesë humbje në 21 meçe është kundërshtar i denjë, i cili në Zvicër ka pranuar sfidën për të kërkuar fitoren, ndërsa që dy boksierët mezi e presin përballjen.

Do të jetë përballje e fortë ku Seferi kërkon fitore dhe ngritjen akoma në renditje. Ai renditet i 68-ti në boxrec.com dhe me fitore eventuale do të gjindet edhe më lartë renditjes botërore. Rashid renditet i 205-ti në botë nga boxrec.com.

Edhe një fakt për gjithë lexuesit dhe adhuruesit e boksit shqiptarë, boksieri Rad Rashid menaxhohet nga shqiptari Arjan Bajrami. Bajrami menaxhon edhe disa boksier të njohur si: Blerim Hajdari (7-0-1, 6 KO), Bujar Tahiri (2-0, 2 KO), Denis Liebau (25-3-0, 23 KO) dhe Kavin Gebhard (19-2-0, 9 KO). Deri te marrëveshja e meçit Seferi dhe Rashid ka ardhur ndërmjet bashkpunimit të Artan Vërbicës dhe Arjan Bajramit.

Në këtë mbrëmje siç e cekëm më lartë do të boksoj edhe Arnold Gjergjaj. Gjergjaj (32-3-0, 24 KO) i cili u dëmtua në vendim të gjyqëtarëve muaj më parë në Stamboll të Turqisë në përballje me Umut Camirkan, nuk do të vajtoj këtë humbje të padrejtë. Ai së bashku me Seferin që janë bashk-organizator ka caktuar kundërshtarin e radhës. Gjergjaj përballë do të ketë afrikanin nga Zimbabve, Elvis Moyo (9-5-2, 4 KO). Ky duel do të zhvillohet në 10-raunde.

Gjergjaj nuk është i dëshpëruar nga meçi i fundit. Humbja ishte e padrejtë, ndërsa ai nga ky meç vetëm se është motivuar më shumë duke mos u ndalur dhe kërkuar sfidë të re. Në meçin kundër Camirkan te Gjergjaj është parë një stil ndryshe, një vetëbesim më shumë dhe një perfeksionim. Përkundër rezultatit jo real dhe zhgënjyes, Gjergjaj ka fituar një përvojë e cila do ta ndihmoj mjaftë atë në meçet e radhës.

Kunërshtari i tij Moyo renditet mjaft mirë në renditjet botërore, i 98-ti në botë. Ai jeton në Johannesburg të Afrikës së Jugut. Kjo dëshmon se ai stërvitet në vendin më të avancuar në Afrikë ku boksi është mjaft i ngritur sikur se në shtetet perndimore të Evropës. Meçi Gjergjaj dhe Mojo do të jetë luftë e vërtetë dhe e pakmpromis. Sikur se Seferi dhe Gjergjaj kanë stërvitur mjaft fuqishëm për të dhënë më të mirën me 25 maj në Kirchberg.

www.kosovaboxing.org
17 maj 2019