Më 24 maj në Prishtinë mbahet Mbrëmja e Boksit Profesionist “Gani Muhaxheri”
1 min readYjet e boksit shqiptarë zbresin në kryeqendër
Prishtinë, 7 Maj 2013 – Më 24 maj në kryeqendrën tonë Prishtinë do të zbresin yjet e boksit profesionist shqiptar si Disarjot Gashi, Besar Nimani, Armand Cullhaj, Bujar Sejdiu dhe Erzen Rrustemi.
Kjo mbrëmje e boksit do të organizohet për nder të ish-boksierit të ndjerë “Gani Muhaxheri”.
Këtë ngjarje të rëndësishme në vendin tonë, nga së afërmi do ta përcjellin kryetari i Federatës Evropiane të boksit (EBU), Bob F. Logist, komisari zyrtar Peter Stucki, anëtari i këshillit Willbald Palatin, etj. Përveç personave zyrtarë të EBU-së, në këtë ngjarje do të marrin pjesë, Ikona e boksit tonë Luan Krasniqi, kampioni aktual evropian në versionin WBO, Nuri Seferi dhe Haxhi Krasniqi, i cili së fundi luftoi për titull të botës.
Organizimi do të mbikëqyret nga FboxprofK – Federata e Boksit Profesionist të Kosovës. Vitin e kaluar kjo ngjarje ka pasur boks amator dhe boks profesionistë, ku në boks profesionist u paraqitën Shpëtim Shala, Besar Nimani dhe Ilir Canolli. Këtë vit ngjarja do të jetë edhe më madhështore.
Mbrëmja do të mbahet në Sheshin 21 në Prishtinë.