RTK

RTKLive
23 Prill, 2024

Lomachenko dështon të bëjë histori

3 min read

Vasyl Lomachenko konsiderohet ndër boksierët amatorë më të mirë në histori, me bilanc prej 396 fitoresh dhe një humbjeje dhe ka fituar të artën në Lojërat Olimpike “Pekin 2008” dhe “Londra 2012”. Lomachenko 26-vjeçar tash në profesionalizëm ka bilanc prej një fitoreje e një humbjeje.

Orlando Salido, Vasyl LomachenkoSan Antonio, SHBA, 3 mars 2014 – Tentimi i Vasyl Lomachenkos për të fituar titull të botës në vetëm luftën e dytë profesioniste në boks, ka përfunduar me humbje me pikë të shtunën mbrëma në San Antonio.

Orlando Salido, që nuk kishte të drejtën për të mbajtur titullin WBO në peshën pendël, pasi kaloi peshën e lejuar, ishte më aktiv gjatë luftës, mirëpo edhe shpesh goditi Lomachenkon poshtë brezit. Atij iu tërhoq vërejtja vetëm një herë nga arbitri Laurence Cole.

Salido (41-12-2) gati sa nuk pësoi nokaut në raundin e 12-të, pasi ishte në litar derisa Lomachenko e sulmonte, mirëpo kampioni i dyfishtë olimpik nga Ukraina dështoi të përfundojë luftën para kohe.

Në fund dy anëtarë të jurisë vlerësuan luftën në favor të Salidos (116:112 dhe 115:113), ndërsa njëri në favor të Lomachenkos (115:113).

“Ishte luftë e vështirë. Ne e dinim se ai ishte i ri, i shpejtë dhe i fuqishëm, por e dinim edhe se çfarë duhet të bëjmë për të fituar. Ai është luftëtar i vërtetë. Por, ne kemi bërë punën tonë dhe kemi ndjekur planin që kemi bërë”, ka thënë meksikani Salido.

Salido në meçin me Lomachenkon erdhi rreth pesë kilogramë më i rëndë, dhe pranon se në raundin e 12-të ishte i lënduar.

“Po ai më lëndoi. Më zuri me disa goditje në pleksus, por për shkak të stërvitjeve të forta që kam bërë, isha në gjendje t’i përballoja”, thotë Salido.

Lomachenko kishte bërë të qartë kur firmosi me kompaninë “Top Rank” vitin e kaluar, se dëshiron të luftojë për titull të botës në debutimin e tij në profesionalizëm. Por, promotori Bob Arum i tha se i duhet një luftë eliminatore. Në luftën eliminatore ai mposhti meksikanin Jose Ramirez me nokaut në raundin e katërt. Lomachenko konsiderohet ndër boksierët amatorë më të mirë në histori, me bilanc prej 396 fitoresh dhe një humbjeje dhe ka fituar të artën në Lojërat Olimpike “Pekin 2008” dhe “Londra 2012”. Mirëpo, Lomachenko 26-vjeçar tash në profesionalizëm është 1-1.

Ai nuk nxori arsyetime. Po të kishte fituar titullin e botës do të ishte bërë boksieri që është bërë kampion me më së paku luftëra.

“Falënderoj për mundësinë për të luftuar për titull. Kam bërë më të mirën, por nuk funksionoi”, tha Lomachenko.

I pyetur nëse gjyqtarët kanë marrë vendimin e duhur, Lomachenko është përgjigjur: “Unë jam luftëtar dhe puna ime është të luftoj, jo për të gjykuar. Nuk do të fajësoj as referin e as gjyqtarët jashtë ringut”.

Ai më pas ka folur edhe për taktikat e papastra të Salidos dhe po ashtu për dallimin e madh në peshë  që kishte.

“Mua nuk më pëlqen të luftoj pisët, dhe për këtë arsye nuk i jam kundërpërgjigjur me goditje poshtë brezit. Për peshën e tepërt të tij jam munduar të mos mendoj. Kam besuar se do ta mposht edhe nëse është më i rëndë se unë, mirëpo kjo është e gjitha në kokën time tash. Duhet të ecim para”, ka thënë Lomachenko.

Kosovaboxing.org
3 mars 2014

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.