RTK

RTKLive
19 Prill, 2024

Kovalev ndal dominimin e Hopkinsit

5 min read

Boksieri rus unifikon titujt në kategorinë gjysmë të rëndë

Kovalev vs. Hopkins -I-New Jersey, 9 nëntor 2014 – Sergey Kovalev bëri një paraqitje dominuese, unifikoi tre tituj të botës në kategorinë gjysmë të rëndë dhe tregoi se “jashtëtokësori” Bernard Hopkins megjithatë është njeri.

Kovalev e rrëzoi Hopkinsin në raundin e parë, e dominoi përballjen dhe në fund fitoi bindshëm me vendim unanim, duke treguar një paraqitje spektakolare para 8.500 adhuruesve të shtunën mbrëma në “Boardwalk Hall” në Atlantic City të New Jerseyt, në meçin për titujt WBA, WBO dhe IBF në kategorinë gjysmë të rëndë.

Hopkins në “Boardwalk Hall” në të kaluarën kishte bërë dy prej befasive ndër më të mëdha në histori të boksit – fitoi ndaj Kelly Pavlikut në vitin 2008 dhe mori titullin e tij të parë në kategorinë gjysmë të rëndë, pas përballjes me Antonio Tarverin në vitin 2006. Mirëpo, të shtunën mbrëma nuk pati moment magjik nga Hopkinsi.

Kovalev vs. HopkinsPati një dominim të plotë të rusit të fuqishëm Kovalev (31), që është në kulm të karrierës. Ai i dha një leksion dhe një rrahje të fort Hopkinsit që do të mbushë 50 vjet më 15 janar. Në fund tre anëtarët e jurisë vlerësuan bindshëm raundet në favor të Kovalevit. Dy prej tyre vlerësuan luftën 120:107, ndërsa njëri 120:106. Kovalev ia ka shtuar titullit të versionit WBO, titujt IBF dhe WBA “Super” që i mbante Hopkinsi.

“Unë jam shumë i lumtur. Këtë fitore ia dedikoi birit tim Aleksandrit”, ka thënë Kovalev.

Bashkëshortja e Kovalevit, Natalia, ka lindur fëmijën e tyre të parë më 20 tetor në Los Angeles, derisa Kovalevi ishte në kamp stërvitor. Kovalev ende nuk e ka parë të birin dhe ky ishte një faktor motivues për të në përballje me Hopkinsin.

Rusi shënoi fitoren e 26-të në karrierë (23 KO) karshi një barazimi, ndërsa për herë të parë në karrierë kaloi tetë raunde. Ai shënoi pa dyshim fitoren më të madhe në karrierë. Ndërkohë Hopkinsi, pësoi humbjen e shtatë karshi 55 fitoreve (32 KO) e dy barazimeve. Legjenda e boksit kurrë më herët në karrierën e tij 26-vjeçare nuk ishte mposhtur në mënyrë të tillë. Ai kishte pësuar humbje në karrierë edhe më herët, por ato ishin kontroverse.

“Ai meriton shumë respekt. Ne jemi të dy boksierë që do të luftojnë me cilindo qoftë dhe kështu edhe përfunduam në ring sonte. Kjo na solli bashkë në ring. Këtë duan të shohin njerëzit, një titull, një brez, një kampion”, ka thënë Hopkins, që zgjodhi të ndeshet me Kovalevin, një boksier që shumë e kishin evituar, përfshirë edhe kampionin e versionit, WBC, Adonis Stevenson.

Kovalev i dha një goditje të pastër me të djathtën nga fundi i raundit të parë Hopkinsit dhe e rrëzoi atë.

Sulmi i Hopkinsit ishte thuajse joekzistent. Ai mezi jepte ndonjë goditje, mirëpo nuk ishte nga ngadalësimi i reflekseve, por më tepër ishte si mënyrë e mbrojtjes dhe kujdesit nga ajo që mund ta priste, në rast se hapej.

Në meç Hopkins në cak dërgoi vetëm 65 grushte, ndërsa Kovalevi plotë 166.

“Mendoj se kjo fitore e katapulton Kovalevin në majë të boksit. Ai është çdo gjë për të cilën kemi besuar. Është synimi i tij për të unifikuar të katër titujt, por kjo nuk do të thotë se do të bëjë këtë menjëherë. Nëse ndodh, atëherë ndodh”, ka thënë promotorja e Kovalevit, Kathy Duva.

Kovalevi ndërkohë tha fjalë respekti për Hopkinsin, që është futur në histori si kampioni më i vjetër i botës në boks.

“Ai ishte kundërshtar vërtet i vështirë. Është mjaft i mirë në mbajtje të distancës. Unë vërtet e respektoj atë për këtë meç, mirëpo ai duhet të mbyllë karrierën, mendoj, pasi ai ka bërë shumë për botën e boksit dhe duhet t’i japë mundësi luftëtarëve të rinj të jenë kampionë. Unë jam ai i radhës. Unë është dashur të mbajë koncentrimin gjatë gjithë luftës. Kam dashur t’u tregoj tifozëve të mi se di të boksoj dhe këtë e kam bërë”, ka thënë Kovalev.

Hopkins për këtë meç ka marrë së paku një milion dollar, ndërsa Kovalevi rreth 500 mijë dollarë.

Hopkins ndonëse është pranë të 50-tave ka thënë se ende nuk është i sigurt nëse do të pensionohet.

“Unë kam qenë 50-50 për pensionim tash e nëntë vite. Nuk dua të them asgjë. Jam në rregull dhe do t’i mendoj gjërat”, ka thënë Hopkins.

Nëse Hopkinsi vendos të pensionohet, atëherë atë e pret futja në Shtëpinë Ndërkombëtare të të Famshmëve të Boksit. Ai ka pasur një karrierë fenomenale. Ka vendosur rekord prej 20 mbrojtje të titujve të botës në kategorinë e mesme, tri herë në kategorinë gjysmë të rëndë dhe ka bërë shumë befasi, përfshirë fitoret ndaj Felix Trinidadit, Tarverit dhe Pavlikut. Ai po ashtu ka edhe shumë rekorde të lidhura me moshë. Është boksieri më i vjetër që ka fituar një titull bote (të parin në moshën 46-vjeçare dhe të dytin në moshën 48-vjeçare), më i vjetri që ka mbrojtur titull të botës, më i vjetri që ka mbrojtur dhe ka unifikuar titujt. Këtë e bëri në prill kur e mposhti kazakun Beibut Shumenov me pikë pas 12 raundeve. Trajneri i Kovalevit, John David Jackson, që ishte nokautuar nga Hopkinsi në luftë për titull bote në kategorinë e mesme në vitin 1997, thotë se është koha që legjenda të tërhiqet.

“Ai ka bërë 12 raunde me njërin prej boksierëve me grushtin më të fortë sot. Çfarë tjetër duhet të arrijë në boks për ta bindur që të tërhiqet?” ka thënë Jackson.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.