Tre fitoret e shënuara në po aq meçe në vitin që lamë pas i dhanë epitetin e boksierit më të mirë shqiptarë për 2017. Ky është Ibrahim Balla australiani me origjinë shqiptare që u lind në Australi por që mburret me orgjinën dhe rrënjët e tij. Prandaj pa hezitim vendosëm që Balla të jetë boksieri i vitit 2017 për sukseset e arritura.

Balla duelin e parë të vitit 2017 e zhvilloi me 18 mars në Melbourn në Park të Victoria State në Australi duke mposhtur filipinasin Virgil Puton (16-7-0, 8 KO). Pas dhjetë raundeve të forta Balla doli fitues me vendim unanim ku tre gjyqëtarët i dhanë fitoren, dy gjyqëtarë 97-93 dhe njëri gjyqëtarë 100-90. Kjo fitore i dha një stimulim boksierit tonë për meçet e radhës.

Meçin e dytë të vitit e zhvilloi me 19 gusht sërish në Melbourn Park të Victoria States. Balla përballë pati një filipinas tjetër, kampionin e Azisë në versionin WBC, Silvester Lopez (28-13-2, 19 KO). Pas dhjetë raundeve të forta, Balla arriti të dal fitues me vendim të gjyqëtarëve. Dy gjyqëtarë e vlerësuan me 98-92 dhe njëri 99-91. Kjo fitore akoma i dha më shumë vetëbesim drejt duelit të radhës për titullin “WBO Oceania”.

Meçin e tretë dhe më të vlefshëm të vitit dhe gjithë karrierës së tij deri më tani e zhvilloi me 21 tetor në Melbourn Park të Viktoria States. Balla përballë kishte afrikanin e pamposhtur Salimu Jangu (9-0, 6 KO). Dueli ishte i vlefshëm për titullin WBO të Oqeanisë në kategorinë pendël. Pas 10 raundeve, Balla doli fitues duke u kurorëzuar me titullin e oqeanisë. Ky triumf është ndër më të vlefshmit në karrierën e 27 vjeçarit. Ishte fitore me vendim unanim, ku tre gjyqëtarët i dhanë fitoren, 99-91, 96-94 dhe 98-92.

Balla deri më tani ka zhvilluar 14 meçe në boksin profesionist me bilanc prej 13 fitoresh (7 KO) dhe një humbje. Ai ka caktuar datën e meçit të tij të ardhshëm ku me 24 shkurt do të mbroj titullin e Oqeanisë në kategorinë pendël.

www.kosovaboxing.org 
3 janar 2018