RTK

RTKLive
25 Prill, 2024

Haxhi Krasniqi: Shpresoj të bëhem shqiptari i parë me titull bote

4 min read

haxhi krasniqi alfred sergerMynih, 11 Janar 2013 – Agjensioni ynë Kosova Boxing takoi Haxhi Krasniqin në Mynih të Gjermanisë duke parë për afër përgatitjet e boksierit tonë para sfidës së tij për titull bote që do të zhvillohet me 16 Mars në Cardif të Vellsit. Krasniqi është shumë i përkushtuar që të bëhet shqiptari i parë që fiton një titull të botës në boks. Ai madje për këtë shpesh po e sakrifikon edhe gjumin. Po zgjohet natën dhe me trajnerin e tij kondicional, Alfred Segerer, po ua mësyjnë bjeshkëve për të ecur. Ai thotë se këso lloj stërvitjesh asnjëherë nuk ka zhvilluar më parë. Në mendje ka vetëm një gjë, që më 16 mars në Britani të mposhtë uellsianin Nathan Cleverly dhe të rrëmbejë titullin WBO në peshën gjysmë të rëndë.

“Përgatitjet janë duke ecur shumë mirë. Kurrë nuk kam pasur përgatitje kaq të vështira, por po i bëj me një vullnet dhe kënaqësi shumë të madhe. Jam duke ushtruar 5 deri në 8 orë në ditë. Nuk e di nëse ka ndonjë boksier që ushtron kaq shumë. Mezi po pres 16 marsin. Jam duke ushtruar nëpër bjeshkë të mbuluara me borë, sidomos natën. Shpesh natën po shkojmë në bjeshkë dhe po ecim, pasi natën është shumë ftohtë, e sa më ftohtë aq më mirë për kondicion. Fillojmë zakonisht në ora 23:00 në mesnatë dhe e përfundojmë në mëngjes në ora 07:00.Të gjitha këto po i bën me kënaqësi”, ka theksuar Krasniqi për Kosova Boxing.

Ai tregon se është duke ushtruar edhe në një makinë speciale që është shumë e shtrenjtë. Ai thotë se ushtrime në të bën vetëm Wladimir Klitschko.

“Jam duke ushtruar në një makinë, që ekzistojnë vetëm tri të tilla në botë, e në të ushtron vetëm Vladimir Klitschko. Është shumë e shtrenjtë për të ushtruar në të. Për 100 sekonda duhet paguar 450 euro, por kur ushtron në të 100 sekonda është sikur të vraposh një orë. Aktualisht, jam duke punuar shumë në kondicion. Në javë i bëj nga 60 kilometra vrapim”, ka treguar Krasniqi.

Ai është duke stërvitur në bjeshkët e Bayernit, pastaj në ato të Austrisë e Zvicrës në lartësi deri në 2.800 metra. Kjo e ndihmon të rrisë kapacitetin e mushkërive.

“Kemi ushtruar në bjeshkë të Austrisë dhe të Zvicrës që kanë lartësi deri në 2.800 metra. Atje kemi ecur deri në shtatë orë pa ndaluar, ku gjatë ecjes jemi të ngarkuar me rroba dhe mbathje që janë me peshë të madhe dhe me një çantë të rëndë që e kemi në vete. Pra, kemi me vete 25 deri në 30 kilogramë peshë të ngarkuar. Trajneri im kondicional Alfred Segerer është me ne në çdo bjeshkë. Ai e ka ushtruar edhe Luan Krasniqin e Firat Arslanin. Deri më 10 shkurt do të jem në stërvitje me Alfredin në bjeshkë, stërvitje që janë shumë të veçanta për kondicion. Më pas më 10 shkurt do të jem te trajneri im i boksit, Dirk Dzemski, e atëherë do ta nis fazën e sparingut. Teknikë dhe sparing”, ka treguar Krasniqi.

Për Krasniqin është hera e parë që lufton për një titull të botës në boksin profesionist. Ai aktualisht është kampion Internacional në versionin WBO dhe mban pozitën e parë në renditje të WBO-së.

Për Krasniqin 25-vjeçar është dueli i 42-të në boksin profesionist. Ai deri më tash ka arritur 39 fitore (15 KO) e dy humbje. Kundërshtari i tij Cleverly, po ashtu 25-vjeçar ka 25 fitore (12 KO) nga po aq meçe. Cleverly kishte vlerësuar Krasniqin vetëm si një pengesë drejt luftërave të mëdha në SHBA që, sipas tij, po e presin.

Deri më tash, asnjë boksier shqiptarë nuk ka arritur të fitojë titull bote në ndonjërin nga katër versionet më të forta të boksit profesionist (WBC, WBA, IBF e WBO). Luan Krasniqi në shtator të vitit 2005 kishte luftuar me amerikanin Lamon Brewster për titullin e botës në versionin WBO në peshën e rëndë, por kishte pësuar me nokaut teknik në raundin e nëntë. Shpend Abazi, në shkurt të vitit 2007, kishte boksuar me Robert Guerreron për titullin IBF në peshën pendël, luftë të cilën e kishte humbur me ndërprerje në raundin e nëntë.

“Unë shpresoj të bëhem shqiptari i parë me titull bote në ndonjë nga katër versionet e forta”, ka thënë Haxhi Krasniqi.

Përgatiti:
Artan Vërbica
11 Janar 2013

 

3 thoughts on “Haxhi Krasniqi: Shpresoj të bëhem shqiptari i parë me titull bote

  1. te uroj fat shendet dhe mendje te kthjellt gjat ringut,mjaft paske ushtru kto pregaditje si kam ndegju as njeher.

  2. Flej gjum naten haxhi se dita osht e gjat boll. Mos e muno zemren dhe trurin pa gjume. Ushtro diten. Po nejse ju e dini ma mire.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.