RTK

RTKLive
28 Mars, 2024

Gjysmëfinalet e kampionatit shqiptar

4 min read

Është mbyllur edhe dita e tretë e Kampionatit Kombëtar të Boksit Amator që po zhvillohet në qytetin e Shkodrës në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi”. Në ditën e tretë kanë qenë të rezervuara ndeshjet gjysëmfinale nga ku janë përcaktuar edhe boksierët finalist. Dita e tretë ka patur plot 8 ndeshje, secila prej tyre plot rivalitet dhe emocione. Kësaj radhe tifozët kanë parë një luftë të fortë sportive dhe ndeshje me nivel të lartë. Gjysëmfinalet janë dominuar tërësisht nga ekipi vendas i Vllaznisë që tashmë është shumë pranë titullit Kampion për këtë vit. Kështu pas tre ditëve të para skuadra shkodrane që drejtohet nga mjeshtri Zef Gjoni ka arritur të çojë në ditën finale 8 boksierë ndërkohë që do të luhen 10 takime. Kjo shifër tregon qartë që Vllaznia udhëheq dhe tashmë ka thyer akullin teksa dy ditët e parë barazonte me Tiranën me fitore. Kuqeblutë kanë dalë në rrugën e tyre dhe duket se askush nuk mund t’ia heq titullin Kampion edhe këtë herë.

Rivaliteti në gjysëmfinale ka qenë i madh. Duke patur parasysh ndeshjet e vështira ka qenë Kryegjyqtari Rahmi Sadushi i cili ka gjykuar në ring tre ndeshje. Sadushi ka arbitruar në peshën 64 kilogram mes Denis Zllatiç të Vllaznisë dhe Serxhio Sina të Tiranës, në peshën 69 kilogram në përballjen mes Antonet Rrapushi të Tiranës dhe Asmer Bilali të Vllaznisë si dhe në peshën 75 kilogram në sfidën mes Alban Barmeta të Partizanit dhe Bekim Vjerdha i Vllaznisë. Dy ndeshjet e para janë fituar nga Vllaznia ndërsa Barmeta ka mundur Vjerdhën e Vllaznisë. Ndërkohë që takimi më i bukur është vlerësuar pikërisht pesha 64 kilogram mes Zllatiç dhe Sina.

Edhe ndeshjet gjysëmfinale nuk kanë kaluar lehtësisht për gjyqtarinë e cila edhe kësaj here ka patur peshën më të madhe. Protestat kanë qenë të pranishme edhe në ditën e tretë. Këtë herë “viktima” është trajneri i Tiranës Skënder Kurti. Tekniku Tiranas ka pretenduar për një gabim teknik të padhënë nga Kryegjyqtari Sadushi në ndeshjen mes Serxhio Sinës dhe Denis Zllatiç si dhe pretendon se i është mohuar fitorja në peshën 81 kilogram boksierit të tij Tefik Mançaku teksa përballë ka patur Klison Beqarin e Teutës. Nëse herën e parë protesta është mbyllur me një debat të thjeshtë, në rastin e dytë Kurti ka protestuar mjaft ashpër ndaj gjyqtarisë. Për një moment është dashur ndërhyrja e forcave të rendit për të qetësuar situatën si dhe ndërhyrja e organizatorëve të aktivitetit.

Në ndeshjet gjysëmfinale të pranishëm kanë qenë Presidenti i Federatës së Boksit në Kosovë Ramadan Selimi , Zv\Presidenti Zajer Shabani, Sekretari Mehmet Bugojovski (ish-nënkampion Bote) dhe selektori i përfaqësueses së Kosovës, Xhevdet Peçi. Miqtë nga Kosova janë shprehur të kënaqur në fund të ndeshjeve gjysëmfinale. Gjatë bisedave ato kanë theksuar se Shqipëria ka boksierë shumë të mirë të cilët me pak punë dhe përkushtim mund të arrijnë rezultate të larta edhe në aktvitetet Ndërkombëtare. Pala Kosovare ka ardhur në Shkodër me ftesë të trajnerit të Vllaznisë Zef Gjoni me të cilin kanë një bashkëpunim disa vjeçar në sportin e boksit. Presidenti i Kosovës ka ftuar disa prej boksierëve Shqiptar në një turne që do të zhvillohet në Ferizaj të Kosovës. Miqtë nga Kosova do të jenë të pranishëm edhe sot në ndeshjet finale.

Dita e katërt dhe e fundit ka të përcaktuar 10 ndeshje ndër të cilat 8 boksierë janë të Vllaznisë, Teuta 3, Apollonia 2, Tirana 2, Flamurtari 2 dhe nga një boksier finalist kanë ekipet e Enea, Partizanit dhe Elbasanit. Dita finale pritet të jetë me ndeshje të bukura dhe plot rivalitet. Ndeshjet do të zhvillohen sot në ora 10:00 në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” të Shkodrës.

Rezultatet gjysmëfinale :

57 kg – Preng Kaçori (Teuta) – Feliks Kruja (Vllaznia) -fiton Kruja me 5 – 0
60 kg – Kristjan Shytani (Vllaznia) – Almarin Marku (Teuta) – fiton Shytani me 4 – 1
64 kg – Denis Zllatiç (Vllaznia) – Sergjo Sina (Tirana) -fiton Zllatiç me 5 – 0
69 kg – Amser Bilali (Vllaznia) – Antonet Rrapushi (Tirana) –  fiton Bilali me 5 – 0
75 kg –  Alban Bermeta (Partizani) – Bekim Vjerdha (Vllaznia) – fiton Bermeta  me 5 – 0
75 kg – Xhek Paskali (Enea) – Zamir Selmani (Tirana) – fiton Paskali me KO
81 kg – Klison Beqari (Teuta) – Tefik Mançaku (Tirana) – fiton Beqari me 3 – 2
91 kg – Kristjan Demaj (Vllaznia) – Erid Tafhasaj (Partizani) – fiton Demaj me 5 – 0

Ndeshjet finale për ditën e sotme janë :
51 kg – Ramazan Cenaj (Elbasani) – Ardit Alija (Teuta)
54 kg – Antonio Preçaj (Flamurtari) – Ronildo Piranaj (Vllaznia)
57 kg – Moren Rokaj (Apollonia) – Feliks Kruja (Vllaznia)
60 kg – Elton Cenaj (Tirana) – Kristjan Shytani (Vllaznia)
64 kg – Denis Zllatiç (Vllaznia) – Xhuljo Vrenozi (Apollonia)
69 kg – Faslli Selimaj (Teuta) – Asmer Bilali (Vllaznia)
75 kg – Alban Bermeta (Partizani) – Xhek Paskali (Enea)
81 kg – Sulejman Dashi (Vllaznia) – Klison Beqari (Teuta)
91 kg – Kristjan Demaj (Vllaznia) – Leonard Zeqiraj (Tirana)
+ 91 kg – Nelson Hysa (Vllaznia) – Xhuneja Çela (Elbasani)

Drilona Hoxhaj
11 Shtator 2010

1 thought on “Gjysmëfinalet e kampionatit shqiptar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.