RTK

RTKLive
24 Prill, 2024

Exclusive : Intervistë me Kreshnik Qaton

4 min read

Kanë mbetur edhe pak më shumë se dy javë nga dueli i ardhshëm i boksierit tonë nga Durrësi, Kreshnik Qato, i cili do të boksoj me 21 Mars në  palestrën e njohur York Hall, “Bethnal Green” në Londër. Kundërshtari i Qatos akoma nuk është përcaktuar mirpo kjo pritet të bëhet shumë shpejtë e ditur. Kreshnik Qato ka një karrier të shkëlqyeshme 21-6 (4 KO). Qato është fitues i titullit WBF – “World Boxing Federation”. Ai klasifikohet i 51-ti në librin elektronik për statistika të boksit botërorë, Boxrec.com. Qato me plot dëshirë u përgjigjë për KosovaBoxing.org për duelin e ardhës dhe për të ardhmen e tij. Intervista u zhvillua nga Artan Vërbica.

KosovaBoxing.org : Ku gjindet Kreshniku dhe çka jeni duke bërë ?
Kreshnik Qato : Për momentin jetoj në Londër, dhe stërvitem pranë palestrës së boksit “Troyan”. Trainerët e mi janë, Michal Cholyen, Phil Pierson dhe Spencer Fearon.

KosovaBoxing.org : Kosova Boxing ka njoftuar adhuruesit tuaj për ndeshjen e radhës me 21 Mars. Cka mund të presin adhuruesit tuaj në të ardhmen ?
Kreshnik Qato : Ndeshja ime e radhës është konfirmuar per datën 21 Mars, në sallën që konsiderohet si shtëpia e boksit Anglez “York Hall, Bethnal Green” në Londër. Për momentin manaxherët e mi janë në bisedime për të vendosur përfundimisht mbi kundërshtarin, me te cilin unë do të përballem, për këtë e ndeshje e cila do të konsiderohet si një “warm-up” ose parapregatitore për ndeshjen e madhe që do të bëhet ne Tiranë, në fillim te muait Maj.

KosovaBoxing.org : Shumë adhurues të boksit tuaj, janë kurreshtar të dijnë,, pse nuk ndodhi dueli juaj me serbin, Knezevic ?
Kreshnik Qato : Anulimi i duelit me serbin, Knezeviq ishte nje lajm shumë tronditës për mua, pasi unë isha pregatitur me gjithë forcat e mia, dhe jo vetëm fizikisht por edhe moralisht i frymezuar nga miqtë dhe tifozët e mi te cilët e gjej rastin për ti falenderuar, pasi më kanë ndjekur kudo me broherimat e tyre. Arsyeja zyrtare që u paraqit nga manaxherët e Knezeviq ishte një gjendje gripale e pesuar gjatë pregatitjeve të tij në kampin stervitor në Serbi.

KosovaBoxing.org : Deri më tani promoteri i juaj Yll Ndroqi ju ka ndihmuar mjaft, çfare janë marredheniet me Ndroqin ?
Kreshnik Qato : Marredheniet tona janë te shkëlqyera, dhe këtë e vërteton më së miri ripërtëritja e kontratave që ne kemi bërë për katër vjet rradhasi dhe shpresoj që kjo marredhenie të vazhdoj edhe pas përfundimit të karrierës sime….gjë kjo që shpresoj do të jetë pas shumë viteve të tjera pune. Me kontributin e promotorit dhe sponsorit tim,  Ylli Ndroqi, unë kam mundur që të ndeshem dy herë në Tiranë, në Washington DC, në Gjermani dhe nuk mund të le pa e përmendur që te ne te gjitha ndeshjet e organizuara ne Londer, Z. Ndroqi është sponzori kryesor.

KosovaBoxing.org : Ju deri më tani keni boksuar në Amerikë, Angli, Gjermani, Shqipëri e shumë vende tjera. Shiquesit shqiptar, gjegjësisht ata të Kosovës, kanë dëshirë Qaton ta shohin në Prishtinë. Kjo është një dëshirë e kahmotshme e popullit tonë të përvuajtur, edhe pse jemi tani dy shtete shqiptare, ne jemi një. A keni menduar ndonjë herë që ta bëni një luftë në Kosovë ?
Kreshnik Qato : Dëshira ime më e madhe do të jetë që të boksoj ndonjë herë në Kosovë. Kjo do të ishte ftesa më e madha ndonjëherë dhe nuk do ti rezistoja. Sigurisht qe do te boksoja ne Prishtinë, madje jam krenar që e permend, që shumica e tifozëve që më kanë ndjekur, nga pas,  si në Washington ashtu edhe në Gjermani kanë qenë bashkëatdhetarë nga Kosova.

Kosovaboxing.org : Kush është idoli i juaj i boksit ?
Kreshnik Qato : Me thënë të drejtën kësaj pyetje do ti isha përgjigjur me shumë dëshirë, gjatë fillimit të formimit tim si boksier profesionist, pasi tashmë është shumë vonë !

KosovaBoxing.org : A keni për të thënë diçka për fund për boksin shqiptar ?
Kreshnik Qato : Boksin Shqiptar unë gjithmonë e kam parë me prespektivë, dhe këtë e vërteton edhe vet fakti që kudo nepër Evropë që ne jemi përfaqesuar në fushën e boksit, kemi qëne të sukseshëm. Tashmë që në Shqipëri është riformuar Federata e Boksit Profesionist Shqiptar e afirmuar edhe nga EBU,  si dhe me marjen e postit te presidentit nga Z. Ylli Ndroqi them se boksi Shqiptar do te ecë shumë përpara. Gjithashtu unë mendoj që nje bashkepunim shumë i rendesishem do te ishte edhe ai ndermjet Federatës se Boksit Profesionist së Kosovës me atë të Shqiperise. Besoj që ju keni autoritet dhe pozitën e përfaqësuesit për media dhe do të ndërmjetsoni të kemi bashkëpunim.
Më bëhet shumë qejfi, kur sa herë që klikoj ne “Boxrec” gjithnjë e më shumë shikoj emra të ri që shtohen në renditje dhe kjo me te vërtete, tregon që ne e pelqejmë sportin e boksit. Për mua të gjithë do të mbetën më të mirët për vet faktin se te bësh boks, në vend të huaj është me të vërtet e vështire duke filluar që nga marrja e licencës e deri tek gjetja e ndeshjeve…..

KosovaBoxing.org : Të faleminderojmë shumë nga zemra, dhe për kohën që keni gjetur për ne. Besojmë do të shihemi në muajin Maj në Tiranë.
Kreshnik Qato : Jeni të mirëseardhur, ju mirëpresim, faleminderit edhe nga ju.

Artan Vërbica
3 Mars 2010

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.