RTK

RTKLive
25 Qershor, 2022

Dita e parë e kampionatit shqiptar për të rritur

4 min read

Ka nisur në qytetin e Shkodrës Kampionati Kombëtar i Boksit Amator. Ky aktivitet organizohet nga Federata Shqiptare e Boksit Amator dhe Profesionist me mbështetjen e Klubit ShumëSportesh Vllaznia. Ndeshjet janë zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” të qytetit të Shkodrës. Dita e parë e kësaj gare që do të zgjasë për katër ditë me radhë ka patur ndeshje të bukura dhe plot rivalitet. Këtë e tregon fare qartë edhe rezultati i ditës së parë, teksa në 11 ndeshjet e zhvilluara Vllaznia, Tirana dhe Teuta e Durrësit kanë marrë secila nga 3 fitore duke premtuar kështu për një garë të fortë deri në ndeshjet finale të 11 shtatorit.

Aktiviteti është hapur nga Gëzim Mema, drejtor i Klubit ShumëSportesh Vllaznia i cili në fjalën e tij është shprehur: “Ju uroj mirëseardhjen të gjitha ekipeve në këtë aktivitet të rëndësishëm për boksin Shqiptar. Për ne është një nder që një garë me të tilla përmasa të zhvillohet në qytetin e Shkodrës. Besoj se të gjithë së bashku do të shpalosim vlerat tona më të mira. Shpresojmë që Kampionati të shkojë mbarë dhe në fund ekipi më i mirë të shpallet fitues”. Ndërsa në emër të Federatës Shqiptare të boksit Amator dhe profesionist ka përshëndetur Kryegjyqtari i Kampionatit Rahmi Sadushi teksa ka theksuar: “ në radhë të parë dua të përshëndes të gjitha ekipet pjesmarrëse në këtë Kampionat që për Federatën është ndër më të rëndësishmit. Ju uroj të gjithë boksierëve, trajnerëve dhe gjyqtarëve të këtij Kampionati suksese. Shpresoj që në këtë garë të mbizotërojë rregulli dhe disiplina. Në fund titulli le të jetë për skuadrën që do ta meritojë’.

Menjëherë më pas kanë nisur ndeshjet e ditës së parë që kanë qenë 11 të tilla. Në ditën e parë suprizat në ndeshjet mes boksierëve kanë qenë të pakta. Takimet janë dominuar nga ekipet pretendete si Vllaznia, Tirana dhe Teuta e Durrësit. Kështu skuadra e Vllaznisë ka marrë tre fitore në tre ndeshjet e zhvilluara. Në peshën 64 kilogramë Asmer Bilali i Vllaznisë ka fituar ndaj Ermal Pasho të Beratit. Në peshën 64 kilogramë Kristian Shytani ka mundur Fradjavolt Ceraj të Lushnjes. Bekim Vjerdha i Vllaznisë në peshën 75 kilogramë ka fituar ndaj Endrit Hoxhaj të Kukësit, duhet përmëndur që kjo ka qenë edhe ndeshja më e bukur e ditës së parë. Ndërsa për Tiranën në peshën 64 kilogramë Serxhio Sina ka mundur Ervin Kibja të Kukësit. Antonet Rrapushi i Tiranës në peshën 69 kilogramë ka fituar ndaj Liridon Metalia të Kukësit dhe Zamir Selmani po i Tiranës ka mundur Arbër Dodaj të Besëlidhjes. Teuta ka fituar në peshën 69 kilogramë me boksierin e saj Faslli Selimaj ndaj Gëzim Trokaj të Apollonisë, në peshën 75 kilogramë me Mërgim Byberi që ka fituar ndaj Flamur Metoshi të Elbasanit dhe në peshën 81 kilogramë Klison Beqaraj ka mundur Omer Brahja të Flamurtarit. Ndërkohë që dita e parë nuk ka kaluar pa protesta dhe kundërshtime ndaj gjyqtarisë. Trajnerët e Apollonisë pretendojnë se ndeshja e peshës 69 kilogramë i është dhënë pa të drejtë skuadrës së Teutës. Në atë takim për Apolloninë ka boksuar Gëzim Trokaj ndaj Faslli Selimaj. Protesta të ashpra ka patur edhe për ndeshjen e fundit të peshës 81 kilogramë e fituar nga Klison Beqaraj i Teutës. Në këtë takim që është fituar ngushtë 3-2 me pikë trajneri i Flamurtarit Gëzim Zeneli ka pretenduar se fitorja duhej t’i ishtë dhënë boksierit të Vlorës, Omer Brahja.

Në ditën e parë kanë ndodhur edhe disa moment të veçanta. Që në fillim e deri në fund ka rënë në sy mungesa e punonjësve të policisë të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në pallatin e sportit. Një tjetër moment i veçantë ka për protagonist gjyqtarin Musa Bello i cili është thirrur nga Kryegjyqtari Sadushi dy herë radhazi për të arbitruar në një prej katër tavolinava, por Bello nuk i është përgjigjur thirrjes së Sadushit pasi nuk ka qenë i pranishëm. E fundit ka të bëjë më Tiranën e cila kësaj here ka në gjirin e saj dy boksier nga Vlora Rrapushi dhe Selmani. Bardheblutë ka shpenzuar më tepër këtë herë për të rivalizuar Vllazninë e cila është absolute në fitimin e titujve në aktivitetet e boksit në 20 vitet e fundit. Megjithatë dita e parë në një skaner të përgjithshëm duhet thënë se është mbyllur më sukses. Dita e dytë do të jetë sot. Do të zhvillohen 8 ndeshje të cilat do të nisin në orën 18:00 në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” në Shkodër.

Rezultatet:
60 kg – Kristian Shytani (Vllaznia) – Fradjavold Ceraj (Berati) – fiton Shytani me AB (tërheqje)
64 kg – Serxhio Sina (Tirana) – Ervin Kibja (Kukësi) – fiton Sina me KO
69 kg – Gentian Zaimi (Lushnja) – Stiljano Zeqo (Flamurtari) – fiton Zaimi me KO
69 kg – Faslli Selimaj (Teuta) – Gëzim Trokaj (Apollonia) – fiton Silmaj me KO
69 kg – Antonet Rrapushi (Tirana) – Liridon Metalia (Kukësi) – fiton Rrapushi NT (fitore teknike me 3 faulla gjatë ndeshjes)
69 kg – Asmer Bilali (Vllaznia) – Ermal Pasho (Berati) – fiton Bilali KO
75 kg – Mërgim Byberi (teuta) – flamur Metoshi (Elbasani) – fiton byberi NT (fitore teknike)
75 kg – Bekim Vjerdha (Vllaznia) – Endrit Hoxhaj (Kukësi) – fiton Vjerdha 3-2
75 kg – Zamir Selmani (Tirana) – Arbër Dodaj (Besëlidhja) – fiton Selmani 5-0
75 kg – Alban Bërmeta (Partizani) – Alket Kalivaçi (Apollonia) – fiton Bërmeta  AB (tërheqje e kundërshtarit)
81 kg – Klison Beqaraj (Teuta) – Omer Brahja (Flamurtari) – fiton Beqaraj 3-2

Drilona Hoxhaj
9 Shtator 2010

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.