RTK

RTKLive
23 Prill, 2024

Chisora do ti kontrollojë duart e Klitschkos në zhveshtore para ndeshjes me Povetkin

3 min read

Chisora Klitschko“Do të jetë hera ime e parë që do të boksojë në Moskë”, tregon Wladimir Klitschko.

Ai të shtunën mbrëma në kryeqendrën e Rusisë do të ndeshet me Alexander Povetkinin. Mirëpo, për herë të parë ukrainasi dhe firma e tij K2 Promotion nuk do të diktojnë rregullat e përballjes.

Pasi që miliarderi rus Andrei Ryabinsk ka fituar të drejtën e organizimit të përballjes për tituj të botës në peshën e rëndë mes Klitschkos dhe Povetkinit (luftë e vlefshme për titujt WBA Super, WBO, IBF dhe IBO), me një ofertë prej 23.3 milionë dollarësh, ai do të diktojë rregullat.

Për këtë do të ketë edhe një luftë të fashimit të duarve. Vetëm me mund dhe me anë të kontratës Klitschko është përkujdesur që vëllai i tij Vitali Klitschko, që mban titullin WBC në peshën e rëndë, të përcjellë rusin Povetkin në kabinë në momentin e fashimit të duarve.

Mirëpo, tash kampi i Povetkinit dëshiron të kundërpërgjigjet. Dëshiron që në zhveshtore për të kontrolluar Klitschkon gjatë fashimit të duarve të dërgojë boksierin problematik, britanikun Dereck Chisora. Një manovër psikologjike nga ana e tyre.

Chisora është një “armik” i Klitschkos. Vladimiri në vitin 2012 kishte detyruar Chisoran të zgjidhte fashat në duar pasi kishte fashuar ato para kohës, para se ai të ngjitej në ring për të boksuar në Mynih kundër Vitali Klitschkos. Për këtë arsye Chisora në ring e kishte pështyrë në fytyrë Vladimirin. Po ashtu këtë vit erdhi edhe te një konfrontim mes tyre në Ibiza, ku të dy ishin në pushime.

“Unë nuk dua të deklarohem për problemet psikologjike të Chisoras”, kishte thënë Vladimiri.

Menaxheri i Klitschkos, Bernd Boente, nuk e ka problem nëse Chisora futet në zhveshtore.

“Nëse ai i përket skuadrës së Povetkinit, atëherë nuk mund të ndryshosh këtë. Por, në zhveshtore nuk është vendi për provokime. Ai mund në qetësi të shikojë fashimin e duarve, e më pas të largohet”, ka thënë Boente.

Te kampi i Klitschkos është alarm maksimal. Me një aeroplan privat ai me kampin e tij do të udhëtojë të martën për në Moskë. Ai do të ketë me vete truprojën Georgij Sieloff. Po ashtu do të jetë edhe udhëheqësi i kampit Dave Williams, që do të përkujdeset për ushqimin e boksierit.

Pasi që nga humbja e Klitschkos në vitin 2004 në Las Vegas kundër Lamon Brewsterit (që dyshohet për helmim të ujit të pijshëm, akuza që nuk janë vërtetuar ende) po shkohet në të sigurt.

Povetkin në anën tjetër ka përparësinë e fushës. Një rus kundër një ukrainasi, në një stadium me mbi 35 mijë shikues në Moskë.

“Unë e kuptoj, edhe nëse presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të cilin e njoh personalisht, është për Povetkinin. Por, besoj se publiku në fund do të aplaudojë për fituesin, dhe respektoj atë. Nacionaliteti nuk luan rol”, ka thënë Klitschko.

E cili do të jetë fituesi? Klitschko: “Unë do të fitoj para kohës”.

Kosovaboxing.org
1 tetor 2013

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.