Roccaporena, Cascia, Itali, 12 gusht 2017 – Boksierja jonë shqiptare që përfaqëson Gjermaninë, Azize Nimani ka arritur të dalë e dyta në Kampionatin e shteteve të zhvilluara të Bashkimit Evropian e zhvilluar nga 5 deri 12 gusht në Roccaporena Cascia të Italisë.

Nimani pati paraqitje të shkëlqyeshme duke arritur deri në finale duke qenë shumë pranë medaljes së artë. Boksierja jonë i rikthehet ringut pas një viti pauze me një performancë të shkëlqyeshme pasi ishte e lënduar dhe medalja e argjendtë duhet konsideruar mjaft të vlefshme, ndërsa ky triumf na bënë mjaft krenar. 

Nimani në këtë kampionat garoi në kategorinë deri 54 kg. Në meçin e parë preliminar përballë pati finlandezën Merjut Lausti, të cilin arriti ta mposht me rezultatë bindës 5 me 0, pas katër raundeve.

Në çerekfinale boksoi me greken, Plea Foteini duke e mposhtur poashtu bindshëm, 5 me 0. Pasi siguroi medaljen, Nimani vazhdoi duke ndjekur pedistialin më të lartë, ku në gjysëmfinale mposhti françezeën Delphine Mancini me rezultatë të thellë, 5 me 0. 

Në finale Nimani kryqëzoi dorezat me irlandezën Michaela Walsh ku pësoi me rezultat, 5 me 0. Në këtë meç Nimani nuk e tregoi atë që mundet edhe pse boksierja jonë u konsiderua favorite dhe pritej triumfi dhe medalja e artë, thjesht nuk ishte dita e saj dhe ndoshta mos paraqitja e një viti nga lëndimi ndikoi në humbjen e saj.

Medalja e argjendtë konsiderohet triumf i madh dhe fitore pikësh për rangimin në renditjet evropiane. Shpresojmë që sukseset e Nimanit të rriten dhe ajo të fitoj të drejtën e pjesëmarrjes në Lojrat Olimpike që do të zhvillohen në Tokyo me 2020. 

Artan Vërbica
13 gusht 2017