RTK

RTKLive
26 Qershor, 2022

Asmer Bilalli boksieri më i mirë i turneut “Adem Jashari”

2 min read

Boksieri shkodran Asmer Bilalli u shpall më i miri në edicionin e 15-të të turneut kushtuar komandantit legjendar.Bilalli, krenar që fitoi “Adem Jasharin”

Asmer Bilalli

Foto: Shpend Ahmeti 

Prishtinë, 17 nëntor 2013 – Boksieri shkodran, Asmer Bilali, ka fituar shumë trofe të boksit nëpër Shqipëri dhe po ashtu shumë herë është shpallur boksieri më i mirë. Mirëpo ai asnjë nga ato triumfe nuk i krahason me trofeun “Adem Jashari” që e fitoi të shtunën. Bilali është shpallur boksieri më i mirë i turneut të 15-të ndërkombëtar të boksit “Adem Jashari”. Ai në finalet e mbajtura të shtunën në Gjilan në prani të 2000 shikuesve, triumfoi bindshëm pas tri raundeve luftë në kategorinë deri 69 kilogramë, ndaj boksierit maqedonas Bojan Ristevski, duke e bindur edhe jurinë që ta shpallë më të mirin.

“Jam ndier shumë i lumtur me marrjen e kupës ‘Adem Jashari’. Për mua ka qenë ëndërr të marrë këtë kupë, e kam pas ëndërr prej vitesh. Unë kam fituar mjaft kupa nëpër turne të ndryshëm në Shqipëri dhe kam dalë shumë herë boksieri më i mirë. Por, me këtë kupë nuk e krahasoj asnjë kupë tjetër. Edhe nëse e marrë kupën e botës, kjo kupë nuk do të krahasohet me asnjë tjetër, për faktin se mban emrin e komandantit legjendar Adem Jashari. Konkurrenca ishte shumë e fortë, ndërsa gjithçka ishte e organizuar shumë mirë”, ka thënë Bilali, të dielën, për gazetën.

Bilali vlerëson se kualiteti i boksit në Shqipëri dhe Kosovë është duke u ngritur.

“Mund të them se boksi shqiptar dita-ditës po rritet si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë”, ka shtuar Bilali që është pjesë e klubit të boksit Vllaznia.

Epiteti i boksierit më “fair-play” në turneun “Adem Jashari” i takoi boksierit nga Kosova, Liridon Zeqiri, ndërsa i teknikut më të mirë malazezit Marko Radoniq.

Në turneun e 15-të ndërkombëtar të boksit “Adem Jashari” kanë marrë pjesë boksierë nga dhjetë shtete. Meçet gjysmëfinale u zhvilluan të premten në Prishtinë, ndërsa ato finale të shtunën në palestrën “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan.

Kosovaboxing.org
17 nëntor 2013

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.