RTK

RTKLive
16 Prill, 2024

Arijan Sherifi, pranë sfidave të mëdha këtë vit

3 min read

nga Artan Vërbica

Boksieri ynë nga Pojatishta e Ferizajit, Arijan Sherifi i është rikthyer stërvitjeve dhe tani është duke u përgatitur për sfidat e fundvitit që e presin këtë vit. Pas katër javëve pushimi në Turqi dhe në vendlindje në Kosovë, Sherifi ka mbushur bateritë dhe fokusi i tij do të jetë ngritja sa më e lartë në ranglistat botërore, ku fundi i vitit do ta gjejë atë për të sfiduar një titull të vlefshëm. Me 2018 synimi i tij do të jetë titulli i kampionit evropian e ndoshta edhe atij botëror.

Sherifi i cili deri më tani ka zhvilluar gjithsejt 17 meçe në boksin profesionist. Ai ka bilanc të shkëlqyeshëm prej 16 fitoresh (8 KO) dhe një humbje. Të vetmen humbje e pësoi në mars të këtij viti në përballje me Sven Fornling në Malmo të Suedisë, e vlefshme për titullin “IBF Baltic” me pikë. Kjo humbje ishte mjaft e ngushtë e Sherifit dhe ai nuk e vajtoi shumë, duke shënuar më pas tre fitore të tjera, dy me vendim unanim dhe një me nakaut.

“Humbja nga Fornling ishte e para e imja. Ishte me të vërtetë një luftë e fortë. Shumë persona më thanë se po të ishte zhvilluar ky meç në Gjermani unë do të fitoja, por kjo pak ka rëndësi tani. Për mua është me rëndësi unë të eci drejt fitoreve dhe sfidave të tjera” tha Sherifi.

Sherifi tani gjindet në Hennef të Kelnit në kampin olimpik të Përfaqësueses së Gjermanisë, ku është duke u stërvitur për sfidat e radhës. Në Hennef përveç Përfaqësueses së Gjermanisë gjindet edhe e Holandës, Kazakistanit, Brazilit dhe e SHBA-ve. Ky kamp do ti ndihmoj mjaft shumë boksierit tonë për sfidat që e presin. Gjithë këto përfaqësuese janë duke u përgatitur për Kampionatin Botëror të 19-tin me radhë që do të mbahet nga data 25 gusht deri 3 shtator në Hamburg të Gjermanisë.

Sherifi së fundi ka sparringur me pjesëmarrësin e Lojrave Olimpike, brazilianin Michel Borges i cili kaloi tre xhiro në Lojrat Olimpike në “RIO 2016” dhe që ishte një hap afër medaljes së bronzt. Ai tregon se ky kamp po e ndihmon atë mjaft shumë dhe sparringjet e forta po i japin mundësin e mirë që të ngritë cilësinë dhe formën. “Kam disa ditë që jam kthyer nga Kosova dhe menjëherë është dashur ti përvishem punës. Po sparringoj me boksierët më të mirë në botë, njëherit pretenduesit për medalje në Kampionatin Botëror që fillon edhe 10 ditë. Njëri nga ato është edhe Michel Borges nga Brazili, një boksier që gjithsesi do të fitoj medalje në Hamburg” tha Sherifi për Kosova Boxing.

Sherifi do të ketë një meç apo dy në muajt shtator apo tetor. Ai me 18 nëntor në Keln të Gjermanisë do të ketë një sfidë për një titull të vlefshëm. Meçi i tij do të jetë parameç i gjermanit perspektiv, Vincent Feigenbutz, i cili do të mbroj titullin IBF Inter-Continental. Ngjarja do të jetë madhështore ku organizator do të jetë ekipi i madh gjerman, Saurland Event së bashku me menaxherin e Arijan Sherifit, Rainer Gottwald.

Sherifi është në duar të sigurta dhe ka përkrahjen e madhe nga menaxheri i tij Rainer Gottwald dhe njëri nga trajnerët më të mirë në Evropë dhe Botë, Valentin Silaghi, njëherit trajner dhe selektor i përfaqësueses së Gjermanisë.

www.kosovaboxing.org
16 gusht 2017

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.