RTK

RTKLive
19 Prill, 2024

Analizë: Prezantim, organizim, boks kulmor dhe mikpritje të denjë

4 min read

Shkruan: Rexhep Hasani

Rexhep Hasani 2Prishtinë, 27 maj 2013 – Ngjarja kulmore e boksit profesionist e cila u zhvillua javën që e lamë pas në kryeqytetin e Kosovës ku u prezantuan disa boksierë shqiptarë dhe të tjerë nga Hungaria, Bullgaria, Bosnjë e Hercegovina me të drejtë meriton të thuhen edhe disa fjalë shtesë, veçmas përkitazi me prezantimin, organizimin, boksin cilësor të treguar, por edhe për mikpritjen dhe rrjedhën gjithëpërfshirëse të kësaj veprimtarie kulmore të boksit tek ne.

Krerët e Federatës së Boksit Profesionist të Kosovës dhe të gjithë zyrtarët e tjerët të saj të cilët punuan në organizimin e kësaj ngjarje, kanë treguar një vetëmohim të pashoq,  profesionalizëm dhe një përkushtim të lartë, me çka pa mëdyshje kanë merituar  që të marrin notë  maksimale nga zyrtarët e lartë të EBU-së, të cilët patën fjalë miradije dhe të zgjedhura për organizimin e Federatës së Boksit Profesionist të Kosovës e cila siç është e njohur tash e sa kohë është anëtare e EBU-së me të drejta jo të plota.

Por pas kësaj ngjarje, pas vëzhgimit të drejtpërdrejt dhe nga afër të zyrtarëve të këtij asociacioni sportiv të boksit profesionist, kam shumë besim se ditët vijuese krerët e EBU-së mund ta marrin vendimin aq të pritur për pranimin e FboxprofK-së në Unionin Evropian të Boksit-EBU, anëtar me të drejta të plota, me çka do të shënohej një faqe të re në  boksit profesionist të Kosovës.

Suksesi i parë dhe me peshë shumë të madhe për drejtuesit e FboxprofK-së, me në krye kryetarin e saj Z. Bekë Zeka me bashkëpunëtorë në këtë ngjarje të boksit ishte prania e dy personaliteteve të lartë të Federatës së Boksit Profesionist të Evropës, përkatësisht  dy anëtarëve të bordit të EBU-së, Willibald Palatini nga Austria dhe Peter Stucki nga Zvicra, të cilët nga afër vëzhguan por edhe shikuan jo vetëm mikpritjen shqiptare, por edhe organizimin e federatës, organizimin e një ngjarje të boksit, si dhe cilësinë e boksit që ka Kosova. Andaj dy anëtarët e bordit të EBU-së u larguan nga Kosova me shumë vlerësime të mira por edhe me premtime të fuqishme se kjo federatë e boksit meriton të jetë anëtare e denjë e EBU-së. Ky lajm pritet që të kurorëzohet në ditët vijuese me pranimin e FprofboxK-së në kongresin e EBU-së i cili pritet të mbahet më 1 Qershor në Vienë të Austrisë, me të drejta të plota.

Por krahas këtij fakti edhe yjet e boksit shqiptarë që u paraqitën në Prishtinë, adhuruesve të boksit i dhuruar një spektakël të vërtetë sportiv, por mbi të gjitha boks kulmorë. Më meritorë për këta ishin boksierët tanë: Bujar Sejdiu, Armand Cullhaj, Besart Nimani, Disarjot Gashi, por edhe kundërshtarët e tyre, e mbi të gjitha boksieri boshnjak Ermir Telaloviq. Por në këtë planë një komplimente të veçanta e meriton edhe Artan Vërbica, i cili u përkujdes për përzgjedhjen e boksierëve pjesëmarrës në këtë spektakël të boksit.

Por sa i përket vetë boksierëve gjithsesi një hapësirë të konsiderueshme para së gjithash meriton dueli për mbamendje midis boksierit shqiptar Armand Cullhaj i cili jeton dhe vepron në Gjermani kundër  boshnjakut Emir Telaloviq i cili për gjashtë raunde solli boks të nivelit të lartë, luftë të pa kompromis, ku fituesi nuk  dihej deri në çastet e fundit të raundit të gjashtë. Armand  Cullhaj, 22 vjeçar,  jo vetëm se me plotë meritë doli fitues, por njëkohësisht bëri me dije se kemi të bëjmë me një boksier me potenciale të lartë, ndërsa boksieri boshnjak Emir Telaloviq, dëshmoi se është një nga boksierët më cilësorë të pasluftës që është paraqitur në ringun e Kosovës. Prezantimi i boksierit tjetër shqiptarë ishte mitrovicasi dhe  kampioni aktual evropian në versionin IBF East/West, Besar Nimani, i cili jo vetëm se shënoi fitore të efektshme me ndërprerje që në raundin e parë kundër  boksierit nga Bullgaria, Valentin Stoychev me përvojë  prej 270 meçe në boksin amatorë. Por potenciali i lartë i Besart Nimanit pritet të shihet në vitet vijuese duke u kurorëzuar me ndonjë titull evropian e pse jo edhe botëror, për çka Nimanit i nevojitet një përkrahje shumë më e madhe në Gjermani.

Edhe prezantimi i pejanit që aktualisht vepron në Zvicër Disarjot Gashi përball hungarezi Jozsef Gerebecz, meriton një vlerësim të lartë për Gashin, i cili pas një mbizotërimi të plotë e detyroi trajnerin  kundërshtar që ta dorëzoj këtë duel në raundin e shtatë.

Paraqitje shumë mbresëlënëse pati edhe boksieri vushtrrias Bujar Sejdiu i cili u përball me boksierin nga Bullgaria, Konstantin Alexandrov, dhe pas gjashtë raundeve Bujar Sejdiu doli fitues.

Mbrëmjet e tilla të boksit profesionist siç ishte kjo e fundit, padyshim i duhen adhuruesve të boksit në Kosovë shumë më shpesh, ndërsa boksierëve shqiptarë sfidat e tilla me kundërshtar cilësorë do t’u mundësojnë që t’i lartësojnë cilësinë e tyre.

Së fundmi, meqë jemi në pritje të lajmit për pranimin e Federatës së Boksit Profesionistë të Kosovës, anëtare me të drejta të plota në EBU, andaj nga drejtuesit e FprofboxK-së pritet që ta intensifikoj punën për organizimin e projekteve të reja.  

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.