Artan Vërbica
31 tetor 2018

Më pas se njëzet ditë na ndajnë nga meçi i radhës i Robin Haxhi Krasniqit, i cili për herë të parë do të mbroj titullin e kampionit evropian në versionin EBU, më të vlerësuarin, më të vjetrin të kontinentit.

Krasniqi (48-5-0, 17 KO) do të takohet me gjermanin Stefan Hartel (17-1-0, 2 KO). Ky meç do të zhvillohet në qytetin Dessau me 17 nëntor dhe do të jetë mjaft interesant pasi që Hartel vlerësohet boksier mjaft cilësor, ndërsa që për kualitetin e Krasniqit dihet duke qenë në maje të boksit gjerman dhe atij botëror për shumë vite me radhë.

Dueli Krasniqi dhe Hartel pritet të sjell emocione dhe vlera të boksit. Hartel asesi nuk duhet të nënçmohet duke ditur të kaluarën e tij. Ai për shumë vite ka qenë kampion i Gjermanisë në kategorinë e mesme duke qenë edhe pjesëmarrës në Lojrat Olimpike “Londra 2012” duke arritur deri në çerekfinale. Ishte shumë pranë medaljes olimpike duke kaluar dy xhirot e para duke mposhtur portorikanin Enrqiue Collazo dhe irlandezin Darren O`neill, por që u ndal nga britaniku Anthony Ogogo në çerekfinale. Pjesëmarrja e tij në olimpijad nuk don koment, prandaj Hartel vlerësohet si njëri ndër boksierët më cilësor gjerman në kategorinë super të mesme.

Të dy boksierët sikur se Krasniqi dhe Hartel janë pjesë e ekipit SES Boxing, por duke parë rivalitetin në klub Hartel ka qenë i pari i cili ka kërkuar sfidën me boksierin tonë. Ndërsa që Krasniqi i patrembur i ka dhënë rastin duke e sfidur me 17 nëntor. Në taborin e ekipiti SES Boxing në dy kategoritë e përafërta, super e mesme dhe gjysmë e rënd kanë disa boksier cilësor dhe secili dëshirojnë të janë njëri-përmbi tjetrin, apo më i miri. Po i numërojmë disa për hirë të opinionit dhe lexuesit tanë, ku krahas Krasniqit dhe Hartel aty janë edhe Dominik Boesel (28-1-0, 10 KO) poashtu kampion evropian në EBU por në kategorinë gjysmë të rënd, pastaj Adam Deines (16-0-1, 7 KO) kampion i brezit WBC Internacional në kategorinë gjysmë të rënd, si dhe dy sfiduesit e radhës që shpejt po ecin drejt ngritjes në renditje, shqiptari ynë Elvis Hetemi (11-1-0, 8 KO) në kategorinë gjysmë të rënd dhe Tom Dzemski (10-0, 7 KO) poashtu në kategorinë gjysmë të rënd. Por, pa modesti duhet të themë duke ditur cilësinë e gjithë boksierëve të lartë përmendur që posedon SES Boxing, Krasniqi aktualisht është më i miri, jo vetëm në këto dy kategori por pas penzionimit të ish-kampionit botëror Robert Stieglitz, Krasniqi  është ylli kryesor i SES Boxing.

Hartel është boksier cilësor por nuk është dëshmuar në boksin profesionist. Edhe pse nuk qëndroi gjatë në boksin olimpik duke debutuar në boksin profesionist si 26-vjeçar, në moshën më të mirë, tek ai është parë që ka mangësi që vështirë është ti përparoj. Është teknik i përkryer por ajo që i mungon është goditja e fuqishme, që kundër Krasniqit do të ketë pak gjasa. Vetëm një ditë e keqe e Krasniqit mund të pësoj, por edhe të ketë ditën e keqe Krasniqi, me mjeshtërin e tij, do të dinë ti përgjigjet.

Gjithçka do të qartësohet me 17 nëntor, por duke njohur dy boksierët parashikoj fitore të Krasniqit me ndërprerje në raundet e fundit.

www.kosovaboxing.org