RTK

RTKLive
23 Prill, 2024

Analizë: Haxhi Krasniqit i duhet të pres për kurorën e kampionit edhe për një kohë

4 min read

Shkruan: Rexhep Hasani

Foto: Eroll Popova

Brahmer vs. Krasniqi22 Mars 2015 – Përpjekja e dytë e boksierit tonë Robin Haxhi Krasniqi, për t’u stolisur me titullin e kampionit të botës në kategorinë gjysmë të rëndë në versionin WBA nuk e solli suksesin e dëshiruar, pasi këtë ia pamundësoi kampioni veprues gjermani Jurgen Brahmer i cili me përvojën 16 vjeçare në boksin profesionist, ia doli ta mposhtë Haxhi Krasniqi me ndërprerje në raundin e nëntë, duke bërë me dije se brezi i kampionit të botës edhe më tej është në pronësi të tij.

Përcaktuese ishin momentet shumë të vështira në raundin e nëntë kur Jurgen Brahmer, ia doli ta ndëshkojë Haxhi Krasniqin me disa goditje të forta që dolën të jenë fatale pasi e sollën Haxhi Krasniqin në gjendje të vështirë, për çka gjyqtari në ring amerikani Toni Weeks u desh që t’i numëroj boksierit tonë, por meqë me këtë rast Haxhi Krasniqi kishte pësuar një dëmtim serioz në fytyrë, pas konsultimeve me shtabin e tij u detyruan ta dorëzojnë duelin, duke i dhënë fund dëshirës dhe shpresës së tij për t’u stolisur me titullin e kampionit të botës. Këto ishin momente shumë të vështira për Haxhi Krasniqin por edhe gjithë adhuruesit e tij, pasi u shuan shpresat dhe pritjet për fitore në këtë luftë.

Tani edhe një herë po i rikthehem duelit nga fillimi i saj. Që në fillim duhet spikatur se Haxhi Krasniqi pa dyshim ishte njëri nga sfiduesit më të fortë të gjermanit Jurgen Brahmer, këtë e tha edhe vetë gjermani Brahmer pas këtij dueli. Pastaj duhet thënë me plotë bindje se Haxhi Krasniqi për asnjë moment nuk ishte kundërshtar indiferent në ring, përkundrazi me shumë shkathtësi arriti të jetë një kundërshtar i denjë si dhe t’i fitoj disa raunde duke qenë më i suksesshëm se kundërshtari i tij duke i shpalos vlerat e tija të larta me goditje të furishme drejt Brahmer, i cili ishte shumë i qëndrueshëm dhe me një durim të paparë dhe i cili për asnjë çast nuk u zmbraps, përkundrazi me shumë dinakëri diti që ta ndëshkoj çdo gabim, çdo nguti të Haxhi Krasniqit. Por, ajo që e bëri të veçantë Brahmer mbi të gjitha ishte siguria, gjakftohtësia e tij, goditjet shumë të sakta nga afërsia dhe gjysëmdistanca, duke i bindur të gjithë se edhe pse tashmë ka kaluar moshën 36 vjeçare ai edhe më tej mbetet i mposhtur. Duhet thënë se tek Haxhi Krasniqi, dëshira, vendosshmëria për fitore, përgatitja fizike ishte në nivel të lartë, por ishte e pamjaftueshme për të dalë fitues, pasi për këtë e pamundësoi me dinakëri Jurgen Brahmer. Gjithsesi se ishim dëshmitar të një lufte shumë të rreptë dhe me temp shumë të lartë, në të cilën vendosën nuancat, por edhe rënia e përqendrimit tek Krasniqi, mbase nga dëshira e tij e madhe për ta përfunduar duelin para kohe që doli të jetë fatal për epilogun përfundimtar, përball një boksieri shumë cilësorë i cili jo rastësisht që nga viti 2014 me sukses është pronar i kurorës së kampionit në këtë version. Andaj analizat, komentet edhe më tej nuk do të marrin fund përkitazi me atë që pamë të gjithë më 21 mars në Rostok, në këtë duel. Megjithatë, ajo që duhet të themi është se momentet e kësaj lufte do të mbeten gjatë në kujtesën e adhuruesve të boksit, por edhe çastet e raundit të nëntë kur Haxhi Krasniqi u detyrua që ta dorëzoj duelin si pasojë e dëmtimit, ishin këto pamje të vështira, por sporti është i tillë e në veçanti boksi profesionit, andaj them se nuk ka vend për zhgënjim, përkundrazi duhet të jemi krenar që një sportist shqiptar pati mundësinë të boksoj për titull kampioni botëror. Mosha e re e Haxhi Krasniqit, përvoja që tashmë e bërë është garanci se pas një kohe për rikuperim që i nevojitet, Krasniqi do të gjejë forcë të rikthehet në ring edhe më i fortë për ta vazhduar punën për realizimin dhe ëndrrën e tij sportive për të fituar këtë titull aq të dëshiruar jo vetën nga ai por edhe miliona adhuruesit e tij gjithandej.

Pra edhe pas kësaj humbje Krasniqit mbetet model i sportistit që na bënë të krenohemi me sukseset e tij e mbi të gjitha prezantimin dinjitoz të kombit shqiptar anekënd botës. Në këto momente gjithsesi të vështira për Haxhiun, të gjithë ne jemi pranë tij dhe me të, pasi vlerat e tij si njeri, si sportist për këtë na obligon. Haxhi Krasniqin shumë shpejtë e presim që si edhe herëve të tjera të na vizitoj në Kosovë, ndërsa ne ta nderojmë pasi këtë admirim ai e ka fituar me shumë punë dhe me shumë sakrifica. Besoj shumë se sukseset e reja të Haxhi Krasniqit nuk do të ndalen, madje duke e njohur karakterin e tij, kjo humbje do ta bëjë atë edhe më të fortë, në rrugëtimin drejt majave të botës, natyrisht pasi të bëjë analiza në hollësi për atë se çka nuk funksionoi si duhet në këtë duel, çka duhet përmirësoj në luftërat e radhës, përkatësisht në synimin e tij për ta bërë kombin shqiptar që të krenohet me titullin e parë të kampionit të botës në boksin profesionist.

www.kosovaboxing.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.